Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari uron për festën e Vitit te Ri

Të dashur ushtarë, nënoficerë, oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ju qytetarë të vendit tonë, viti 2021 ishte një vit plotë me sukese e sfda, të cilat do të regjistrohen me krenari në historikun e Forcës sonë. Në këtë vit, FSK-ja për herë të parë shërbeu në misione paqësore, përkrah aleatëve tanë, duke ngritur flamurin tonë në mesin e kontribuuesve të paqes. Paralelisht, Forca jonë e dëshmoi gatishmërinë e kapaciteteve të saj në ushtrime të përbashkëta me ushtritë e NATO-s.

Pjesëtarët e FSK-së, si gjithmonë, e ngritën lart emrin e vendit tonë, duke fituar çmime kryesore në gara, trajnime dhe kurse të kryera në vendet aleate. Në të njëjtën kohë, Forca e ka rritur numrin e pjesëtarëve dhe aseteve ushtarake, për të qenë e gatshme ndaj çdo sfide të sigurisë.

Mirëpo, sukseset e Forcës nuk duhet të na sjellin vetëkënaqësi. Këto suksese duhet të na shërbejnë si standard yni i ri, të cilin jemi të obliguar ta kalojmë dhe ngremë më lart në vitin 2022. Përkushtimi ndaj detyrës për mbrojtjen dhe shërbimin ndaj atdheut, qytetarëve dhe familjeve tona nuk njeh kufij. Prandaj, ta shfrytëzojmë këtë kohë për të festuar arritjet tona, në jetën personale dhe gjatë shërbimit, dhe të përgatitemi me një energji të re për t’i tejkaluar këto arritje në vitin 2022.

Duke ju dëshiruar mbarësi, lumturi dhe plotë suksese, ju uroj Vitin e Ri 2022 të gjithë pjesëtarëve, familjeve të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Faleminderit për shërbimin!

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *