Një urim i veçantë nga nxënësi i Shkollës “Shaban Jashari”

Një nxënës i klasës së tretë në Shkollën “Shaban Jashari”, ka vendosur t’i shkruajë një kartolinë urimi të vitit të ri, një punëtorit teknik të kësaj shkolle, veprim ky që nuk është dëgjuar të ketë ndodhur ndonjëherë më parë.

Në urimin e tij, nxënësi ka përmendur disa arsye pse kishte zgjedhur punëtorin teknik, emri i të cilit ështe Isë, t’i shkruajë disa rreshta për t’ia uruar festën e vitit të ri.

Në fillim të urimit, nxënësi e quan “zotëri” punëtorin e shkollës, një sjellje kjo e admirueshme nga ana e 8 vjeçarit.

“Je i dashur, i sjellshëm me ne dhe një punëtor i vyeshëm”, shkruan mes tjerash nxënësi, që quhet Rron.

Me një shkrim mirë të lexueshëm, Rroni shkruan në urimin e tij se ai edhe shokët e klasës janë të vetëdijeshëm se angazhimi i punëtorit të shkollës, mundëson ambient të pastër dhe ngrohtësi në klasë.

Ai përmend madje edhe sjelljen e mirë të mirëmbajtësit të shkollës karshi nxënësve, duke i bërë të qeshin nganjëherë me humorin e tij.

“Andaj, përmes kësaj letre, të uroj shëndet, mbarësi dhe suksese në punë!

Gëzuar Vitin e Ri!”, përfundon urimi i Rronit.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *