“Dhuratat” e Erdogan për Kosovën: Vërejtje për Ambasadën në Jerusalem, kërkesë për të mësuar turqisht dhe dorëzim të “gylenistëve”

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ka kërkuar nga kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani që Kosova të ndërmarrë masa konkrete ndaj gylenistëve.
Në vizitën e tij në këtë fundvit, Akar s’e ka lënë pa ua përmendur edhe shqetësimin për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Këto kërkesa mysafiri turk u kujdes ti pasqyrojë në faqen e institucionit që drejton kur u kthye në Turqi.

Në njoftimet për media, pala kosovare nuk i trajtoi këto tema, që i bie se rreth “gylenistëve” dhe ambasadës në Jerusalem nuk ka pajtueshmëri nga Prishtina dhe Ankaraja.Kërkesat e mysafirit nga Turqia, i kanë komentuar për Gazetën Express Shefi i komunikimit strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, Sefer Isufi, zëdhënësi i kësaj ministrie Flamur Arifaj, ish-drejtori i Policisë Rashit Qalaj dhe profesori i Filozofisë Politike

Institucionet shtetërore se kanë përfshirë në komunikatat e tyre zyrtare kërkesën e zyrtarit turk e as shqetësimin për ambasadën e Kosovës në Izrael. Megjithatë, ndryshe ka vepruar ministria e Mbrojtjes së Turqisë e cila është përkujdesur që në komunikatat e tyre për media ta vënë theksin në kërkesën për gylenistët në takimet që Akar ka pasur me Kurtin e Osmanin.

Në takimin që ministri turk ka pasur me kryeministrin Albin Kurti përveç kërkesës që të ndërmerren masa konkrete kundër lëvizjes “FETO” siç e quajnë ata, Akar ia ka shprehur edhe pakënaqësinë e Ankarasë zyrtare për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Ministri Hulusi Akar u takua me kryeministrin Albin Kurti. Nevoja për zhvillim të bashkëpunimit mes Turqisë dhe Kosovë në fushat e trajnimit ushtarak dhe industrisë së mbrojtjes. U shpreh shqetësimi që është ndjerë për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem dhe nevoja e ndërmarrjes së masave konkrete në luftën kundër FETO-s u theksuan në takim”, thuhet në komunikatën zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë.

Ministri turk në takimin me shefen e shtetit, Vjosa Osmani ka thënë se hapja e ambasadës në Jerusalem e ka parandaluar Kosovën që të sigurojë njohje të reja duke mos lënë anash kërkesën e shefit të tij Erdogan për gylenistët“Ministri Akar shprehu pakënaqësinë e tij për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem duke thënë se kjo e ka parandaluar Kosovën të që njihet nga shtete tjera. Ai theksoi rëndësinë që të ndërmerren masa konkrete në luftën kundër FETO-s. Ata folën edhe për gjuhën turke, ku ministri Akar i tha presidentes Osmani që të mësojë më shumë turqisht”, thuhet në komunikatën e ministrisë turke të Mbrojtjes për takimin Akar-Osmani.

Në anën tjetër Kryeministria dhe Presidenca s’e kanë përfshirë në komunikatat e tyre zyrtare kërkesën e ministrit Akar për gylenistët në takimet që ka pasur me Kurtin e Osmanin. Zyra e Kryeministrit s’është përgjigjur as në pyetjet e Gazetës Express lidhur me kërkesën e ministrit turk ndaj kreut të ekzekutivit kosovar për çështjen në fjalë. Përgjigje s’kanë kthyer as nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.

Nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës thanë për Express se nuk kanë autoritet ligjor e kushtetues për trajtimin e kërkesave të tilla. Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj u shpreh se Kosova s’duhet të bëjë ndonjë veprim ndaj gylenistëve pas kësaj kërkese. Profesori Blerim Latifi e konsideron absurde kërkesën e ministrit turk dhe sipas tij historia e kaluar me gylenistët s’duhet të përsëritet kurrë.

Shefi i komunikimit strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, Kolonel Sefer Isufi, tha për Gazetën Express se deklarata e ministrit Akar për Gylenistët është deklaratë që përsëritet vazhdimisht nga zyrtarët e lartë turq.

“Ministria e Mbrojtjes ka memorandum bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me ministrinë e Mbrojtjes së Republikës e Turqisë që nga viti 2009 dhe ky është fokusi në relacionin tonë. Lidhur me çështjen e deklaratave të ministrit turk të mbrojtjes Hulusi Akar janë deklarata që autoritetet zyrtare turke i kanë potencuar në vazhdimësi dhe kanë qenë publike. Deklaratat e tyre për çështjen e lëvizjes Hizmet janë përsëritur në të gjitha instancat institucionale”, tha ai.

Sipas Isufit, Ministria e Mbrojtjes zhvillon relacione bashkëpunimi me autoritetet turke vetëm në korniza të fushëveprimit të ministrisë.

“Ministria e Mbrojtjes ka ndërtuar dhe zhvillon relacione bashkëpunimi me autoritetet turke vetëm në korniza të fushëpërgjegjësisë ligjore dhe misionit që ka si ministri e Mbrojtjes dhe si Forcë e Sigurisë së Kosovës. Ministri Mehaj dhe Ministri Akar kanë pasur vizita të ndërsjella dhe bashkëpunimi bilateral mes dy ministrive dhe forcave do të thellohet e konkretizohet më tej duke pasur parasysh rolin e Turqisë si vend anëtar i fuqishëm i NATO-s”, tha ai.

Ndërkaq, zëdhënësi i kësaj ministrie Flamur Arifaj në një përgjigje me shkrim për Express tha se sa i përket kërkesës së ministrit turk për gylenistët, Ministria e Mbrojtjes nuk ka autoritet ligjor e kushtetues për trajtimin e tyre.

“Lidhur me pytjen tuaj, e cila është adresuar nga Ministri turk, për çështjen në fjalë Ministria e Mbrojtjes nuk ka autoritet ligjor dhe kushtetues për trajtimin e tyre. Çështjet që janë adresuar nuk janë çështje që kanë të bëjnë me ne. Ministria e Mbrojtjes ndërton dhe zhvillon bashkëpunim bilateral me shtetet partnere vetem ne kornizat e fushëveprimit te Mbrojtjes”, tha ai.

Për deklaratën e ministrit turk, anëtari i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Rashit Qalaj tha se Kosova s’i konsideron terroristë gylenistët dhe sipas tij s’ka informacion që ata individë kanë pasur aktivitete të paligjshme.

“Kjo nuk është një kërkesë e re meqenëse çdo vizitë e zyrtarëve të lartë të Turqisë për vite ka qenë kërkesë e njëjtë gjithmonë që sipas tyre gylenistët dhe lëvizja FETO paraqesin rrezik për Turqinë dhe e ka shpallë organizatë terroriste dhe gjithmonë ka bërë presion ndaj institucioneve të Kosovës që Kosova të gjithë ata që ata i konsiderojnë që janë gylenista t’i dorëzojnë tek autoritetet e Turqisë. Mendoj se nuk është një kërkesë e mirë për Kosovën sepse ne nuk i konsiderojmë personat që ata i quajnë terroristë paraqesin rrezik për Kosovën ata për ne thjesht janë qytetarë që janë në Kosovë dhe sipas informatave që unë kam anjëherë nuk ka pasur aktivitet të jashtëligjshëm të këtyre individëve që janë në Kosovë”, tha ai në një prononcim për Gazetën Express.

Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj tha tutje se nëse institucionet e Kosovës konsiderojnë se këta persona s’paraqesin rrezik atëherë s’duhet vepruar ndaj gylenistëve.

“Unë mendoj që është një lloj presioni që autoritetet kosovare të veprojnë siç kanë vepruar para disa viteve. Përderisa institucionet e Kosovës nuk kanë ndonjë informacion se këta persona paraqesin rrezik për shtetin e Kosovës mendoj që absolutisht nuk duhet vepruar. Institucionet e Kosovës duhet të jenë shumë të kujdesshme karshi kërkesave të tilla”, shtoi ai.

Ndërkaq, profesori i Filozofisë Politike Blerim Latifi, e konsideron absurde kërkesën e ministrit të Erdoganit për ekstradim të gylenistëve.

“Në një kontekst marrëdhëniesh konkrete midis dy shteteve të pavarura, vizitat e kësaj natyre bëhen në funksion të zhvillimit të bashkëpunimit në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë që reflektojnë interesat e përbashkëta. Kërkesa që ministri turk i mbrojtjes ia bëri ministrit tonë të mbrojtjes del kretësisht jashtë këtij kuadri. Si e tillë ajo ishte krejtësisht absurde”, tha Latifi për Express.

Sipas Latifit, Kosova dhe Turqia nuk ndajnë pikëpamje të njëjtë për gylenistët dhe historia e arrestimit të tyre më 2018 s’duhet të përsëritet kurrë në Kosovë.

“Kosova dhe Turqia nuk ndajnë të njëjtën pikëpamje lidhur me çështjen Gylen. Bile për mendimin tim kjo as që duhet të trajtohet si çështje, aq më pak në termat e sigurisë ndërkombëtare. Sepse realisht nuk është e tillë. Historia e kaluar me gylenistët nuk duhet të përsëritet kurrë më në Kosovë”, tha ai.

Hulusi Akar në vitin 2016 ka qenë shef i shtabit të ushtrisë turke kur ishte marrë peng nga pjesëtarë të ushtrisë turke, në atë që pushteti i Erdogan e konsideron puç të organizuar nga Gulen.

Pas kësaj Erdogan kishte nisur “gjahun” ndaj gylenistëve duke e bindur kreun e shtetit të Kosovës që të arrestojë pjesëtar të saj. Kështu në mars të vitit 2018, Kosova arrestoi dhe dëboi gjashtë shtetas turq, që kishin punuar në shkollën private “Mehmet Akif” në Prishtinë duke ia dorëzuar shërbimit sekret turk brenda territorit të vet.

Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *