Bideni nënshkruan buxhetin marramendës të mbrojtjes

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka nënshkruar Aktin Autorizues Kombëtar të Mbrojtjes për vitin fiskal, 2022, që e autorizon shpenzimin e 770 miliardë dollarëve në fushën e mbrojtjes, tha të hënën Shtëpia e Bardhë.
Më herët këtë muaj, Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve e kanë miratuar këtë projektligj me përkrahje të fuqishme nga demokratët dhe republikanët, shkruan Reuters.

“Akti ofron përfitime jetike dhe e përforcon qasjen në drejtësi për personelin ushtarak dhe familjet e tyre dhe përfshin autoritete kritike për ta përkrahur mbrojtjen kombëtare të vendit”, tha presidenti amerikan në një deklaratë pas nënshkrimit të ligjit.

Duke ndarë rreth 5 për qind më shumë shpenzime ushtarake se vitin e kaluar, ligji për buxhetin e mbrojtjes është kompromis i bisedimeve intensive mes demokratëve e republikanëve. Kjo çështje kishte ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve shkaku i politikave rreth Kinës e Rusisë.

Në ligjin e ri përfshihen rritja prej 2.7 për qind e pagave për ushtarët, blerja e aeroplanëve e anijeve e strategji për trajtimin e kërcënimeve gjeopolitike,

Akti parasheh 300 milionë dollarë për Nismën për Asistencë të Sigurisë në Ukrainë, 4 miliardë dollarë për Nismën Evropiane të Mbrojtjes dhe 150 milionë dollarë për bashkëpunimin në fushën e sigurisë në rajonin e Baltikut.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *