Institucioneve u rrodhi informata zyrtare për aksionin e Policisë në veri

Institucioneve u rrodhi informata zyrtare për aksionin e Policisë në veri
Aksioni i zhvilluar sot në veri të Kosovës ka pasur të bënte me aktivitete të jashtëligjshme të mihjes së kriptovalutave, ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla. Ai ka thënë se aksioni ka përfunduar pa incidente, por, sipas tij, ka pasur rrjedhje të informacionit zyrtar për njërin nga lokacionet e targetuara.

Cak i aksionit kanë qenë tri lokacione në Zubin Potok. Sipas ministrit, në njërin nga lokacionet është vënë re infrastruktura, por kanë munguar pajisjet për veprimtarinë e paligjshme.

“Duke marrë parasysh këtë fakt, Policia e Kosovës është duke zhvilluar hetime intensive për rrjedhje të informatës zyrtare”, ka thënë ai.

As Dogana e as ministri Sveçla s’kanë njoftuar për bilanc të punëve nga ky aksion.
Dogana e Kosovës ka njoftuar se oficerët doganorë, të asistuar nga Policia e Kosovës, të shtunën në orët e para të mëngjesit kanë realizuar kontrolle në tri lokacione në Veri të vendit.

“Ky operacion ka filluar në orët e para të mëngjesit ku qëllimi ishte të kontrollohen bizneset të cilat operojnë në rajonin e Zubin Potokut, respektivisht dy lokacione në fshatin Zupce dhe një tjetër në fshatin Uglar. Operacioni ka pasur qëllim kontrollin e bizneseve për shmangie të tatimit si dhe veprimtari ilegale të kontrabandimit të mallrave. Operacioni ka rrjedhur pa asnjë incident”, thuhet në njoftim.

Dogana e Kosovë ka njoftuar se në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të vazhdojë të ushtroj kontrolle në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj, me qëllimin e vetëm parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

“Dogana e Kosovës fton qytetarët të njoftojnë secilin rast të sjelljes jo etike të zyrtarëve doganor në numrin e telefonit 080050095. Dogana e Kosovës rishtazi ka lansuar aplikacionin eDogana për pajisjet e menqura android, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurtë dhe gjithashtu ofron mundësi për verifikim të kilometrave të automjeteve të importuara nga muaji Shtator”, përfundon njoftimi.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *