‘Nuk na intereson ne a ka prishje, ne duam rrymë’: Fitore Pacolli vitin e kaluar kërkonte që të paditet KEDS

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fitore Pacolli, në nëntor të vitit të kaluar kishte bërë thirrje te qytetarët se për rrymën që po ndalet duhet të paditet KEDS, pasi që po shkakton dëme dhe prishje të mëdha, shkruan Gazeta Metro.

Ashtu sic është paralajmëruar, pas më shumë se një dekade në Republikën e Kosovës janë rikthyer reduktimet e energjisë elektrike.

Kompania e shpërndarjes së energjisë në Kosovë (KEDS) njoftoi dje se do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike në mbarë vendin, si pasojë e prodhimit të ulët vendor dhe çmimeve të larta të importit të energjisë.
Këto reduktime po i shkaktojnë dëme shumë bizneseve në Kosovë, prej atyre më të vogla e deri tek bizneset më të mëdha.

Ndërkaq për reduktime dhe dëme të ndaljes së rrymës, me 23 nëntor të vitit 2020, Fitore Pacolli nga LVV kishte shkruar një status të gjatë në Facebook, duke kritikuar KEDS’in për reduktime.

“Përsëri paska prishje. Përsëri me orë të tëra në këtë kohë të ftohtë mbesin pa rrymë e rrjedhimisht pa ngrohje e ujë qindra banorë banorë të Prishtinës. Në këtë kohë kur shumë banorë po kurohen nga Covid19 në banesat e tyre janë lënë pa rrymë e rrjedhimisht edhe pa ngrohje e pa ujë. Në shumicën e banesave kur nuk ka rrymë nuk ka as ngrohje e as ujë. Kjo është e papranueshme KEDS po shkel të drejtat themelore të qytetarëve”, kishte shkruar Pacolli.

Tutje ajo kishte kërkuar nga qytetarët që të paditet KEDS për dëmet e shkaktuara.

“Nuk na intereson ne a ka prishje. Ne paguajmë shërbimin ndërsa nuk na intereson fare se si kompania do ta sigurojë atë. Qytetarët duhet të furnizohen me rrymë. A u privatizua distribucioni i KEK-ut me premtimin se do të përmirësohet shërbimi? Ky nuk është shërbim por maltretim. Secili qytetarë dhe të gjitha bizneset, që janë dëmtuar nga këto ndërpreje të gjata të rrymës, të deponojnë padi kundër KEDS. KEDS duhet të kompenzoj secilin për dëmet që i ka shkaktu secilit, bash secilit”, kishte shkruar Pacolli.

Leave a comment

Your email address will not be published.