Kusari – Lila: Reduktimet e rrymës, e vetmja rrugëzgjidhje

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se aplikimi i sistemit të reduktimit është e vetmja rrugëzgjidhje afatshkurtër në situatën me krizë energjetike.

Ky sistem, sipas saj, do të kursente drejtpërdrejt nga importi i madh në rrethanat kur një megavat i energjisë elektrike ka raste kur ka arritur deri në 600 euro.

Tutje, ajo theksoi se rrethanat të cilat e karakterizojnë krizën energjetike në Kosovë janë rrethana të cilat kanë specifika të veta, por gjithashtu nuk mund të jenë të përjashtuar nga ajo që po ndodh në Ballkan dhe Evropë.

“E gjitha filloi muaj më parë me shtrenjtimin e gazit dhe pastaj iu transferua Kosovës nga Shqipëria e Maqedonia me krizat energjetike të cilat i shpallën në nivel vendi. Kjo ndikoi në shtrenjtimin e rrymës dhe tashmë situata që kanë të bëjnë në Kosovë janë, e para rritja e çmimit të rrymës në nivel të Evropës e në veçanti të Ballkanit dhe problemet me rigjenerimin e një blloku të Kosovës B”, tha Kusari-Lila për RTV21.

“E vetmja rrugëzgjidhje afatshkurtër në këtë situatë është aplikimi i sistemit të reduktimit i cili do të kursente drejtpërdrejt nga importi”, theksoi ajo.

Leave a comment

Your email address will not be published.