Prokurori i Shtetit i reagon ashpër Sveçlës, i kërkon të mos përzihet në punët e tyre

Prokurori i Shtetit i ka reaguar ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili lavdëroi aksionin e sotëm në Shtërpcë, ku u arrestuan 10 zyrtarë, përfshirë edhe ish-kryetarin e kësaj komune, Bratislav Nikoliq.

Prokurori i Shtetit e ka akuzuar Sveçlën se nuk bën që aksioneve të prokurorisë t’u jep ngjyrime politike.

“Prokurori i Shtetit reagon ndaj deklaratës së Ministrit të Punëve të Brendshme, i cili ashtu si edhe aksioneve të tjera të prokurorisë edhe rastin e ditës së sotme të zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj në komunën e Shtërpcës dhe më gjerë, mundohet që t’iu jap karakter politik. Hetimi dhe ndjekja e rasteve penale nuk është punë e Ministrisë së Punëve të Brendshme e as e sektorëve tjerë qeveritar, por është kompetencë ekskluzive e Prokurorit të Shtetit.

Hetimet dhe rastet penale nuk kanë konotacion politik dhe nuk duhet të komentohen nga organet politike. Ne e mirëkuptojmë vlerësimin që pushteti ekzekutiv ka filluar ta ketë për punën e Prokurorit të Shtetit, mirëpo ia u bëjmë të qartë se duhet të respektohet ndarja e pushteteve dhe kompetencat që secili institucion i ka“, thuhet në komunikatën për media.

Prandaj, Prokurori i Shtetit ka kërkuar që çdo kush të shoh punët e veta, konform kompetencave, shkruan Sinjali.

“Në këtë kontekst, secili institucion duhet të sillet konform përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese, pa u përzier në punët dhe kompetencat respektive. Aksioni i ditës së sotme është punë dhe angazhim disavjeçar i Prokurorisë i mbështetur nga organet tjera ligjzbatuese, për më tepër është në vazhdën e përpjekjeve të Prokurorit të Shtetit për forcimin e sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre individëve që kryejnë vepra penale pavarësisht pozitës, funksionit apo etnisë që ata kanë“, përfundon komunikata e Prokurorit të Shtetit.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *