I han fjalët e veta Kurti, Në fushatë zgjedhore rryma ishte e shtrenjtë, ndërsa tash thotë se çmimi është më i liri

Gjatë fushatës zgjedhore në shtator të vitit 2019, Albin Kurti, kishte premtuar uljen e çmimit të rrymës në amvisëri, derisa dje ka thënë se shtrenjtimi i rrymës nuk është në kompetencën e Qeverisë. Gjithashtu Kurti në fushatë kishte thënë se çmimet e energjisë elektrike janë të larta, derisa dje ka thënë se çmimet e energjisë elektrike janë të lira, shkruan Gazeta Metro.

Kryeministri Albin Kurti, dje ka vizituar termocentralin Kosova ‘A’ dhe Kosova ‘B’, aty ai ka ritheksuar se çmimi i energjisë elektrike në vend është relativisht i lirë, dhe se rritja e çmimit të saj nuk është në dorën e qeverisë.

Kurti gjatë kësaj vizite e ka ritheksuar se çmimi i energjisë elektrike që paguhet nga qytetarët në Kosovë është relativisht i lirë dhe se ka vend për kursimin e rrymës.
“Energjia elektrike është relativisht e lirë në Kosovë por shtrenjtimi i saj në të ardhmen nuk është në kompetencën tonë, ne do e ndihmojmë KEK’un, por çmimet nuk do jenë në dorën tonë, por kjo ndodhë për shkak të shtrenjtimit të gazit në bursat botërore. Ne do ta mbulojmë importin e rrymës. Mendojmë që ka vend për kursim. Me ministrin e Ekonomisë jemi marrë vesh që ta mbulojmë koston e importit”, tha Kurti para mediave.

Kurti edhe ditë më parë kishte thënë se çmimi e energjisë elektrike në vend është i lirë, përkundër që standardi i jetë në vend nuk është i krahasueshëm me vendet e zhvilluara.

Duket se tash Kurti kur është në Qeveri, çmimi i energjisë i duket i ulët, derisa ishte në opozitë thoshte se është shumë çmim i shtrenjtë, kur rrimë mbi gjithë këtë energji.

Ai madje kishte premtuar edhe ulje të çmimit të energjisë elektrike në amvisëri.

“Unë nuk mund ta them sot se sa do të ulet energjia elektrike. Por e di që ‘ContourGlobal’ nuk do të vjen në shprehje më, ai do të na shtrenjton energjinë elektrike dhe ne nuk paguajmë me buxhetin e Kosovës që nuk paguajnë energjinë elektrike. Ne do ta synojmë uljen e energjisë elektrike, sepse tepër shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji që e kemi. Shumë kemi kapacitet”, kishte thënë Kurti në shtator të vitit 2019.
Kriza energjetike është kryetema e këtyre ditëve dhe javëve.

Ndërkaq kryeministri Kurti i kishte dhënë mundësi edhe shtrenjtimit të energjisë elektrike në Kuvend të hënën, kur po pyetej nga opozita rreth krizës energjetike.

Kurti tha të se qytetarët po shpenzojnë shumë energji elektrike, edhe për shkak se ajo u kushton lirë.

Në fillim të këtij muaji, KEDS’i ka kërkuar ndihmë nga të gjithë për t’u përballur me krizën, duke thënë se mundësitë financiare janë shterur deri në fund si pasojë e përballjes me çmime të larta për importimin e energjisë elektrike.
KEDS ka dërguar kërkesë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për rritje të çmimit të energjisë elektrike, për 7 për qind.

Mirëpo sipas ZRRE, kjo kërkesë nuk mund të shqyrtohet deri në fillim të shkurtit 2022. Deri atëherë, kosovarët do të vazhdojnë të paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *