Ish-zëdhënësi Jamie Shea: Kosova duhet të anëtarësohet në NATO

Shea në një intervistë thotë se Kosova duhet të anëtarësohet në NATO dhe pavarësisht përpjekjeve të Moskës, Rusia s’do të mund asnjëherë të përcaktojë se cilin shtet vendosë ta pranojë si anëtar të ri Aleanca Veri-Atlantike. Ai ka folur për angazhimin e shtuar të Britanisë në Ballkan, konkretisht emërimin e ushtarakut Peach si Emisar Special dhe takimin e 6 ministrave të Jashtëm në Londër me Sekretaren e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

Ish-zëdhënësi i Aleancës më të fuqishme ushtarake tha se është momenti i fundit që faktori ndërkombëtar ta vendosë Ballkanin Perëndimor në krye të agjendës politike dhe të zbatojë trysni diplomatike ndaj atyre që provojnë të cenojnë marrëveshjet e arritura.

Britaniku që udhëhoqi konferencat e NATO-s gjatë bombardimeve 78 ditëshe të Ish-Jugosllavisë me 1999, u shpreh i inkurajuar me lëvizjet e fundit të Mbretërisë së Bashkuar sa i përket emërimit të ushtarakut Stuart Peach si Emisar Special i kryeministrit Boris Johnson për Ballkanin dhe takimin e Sekretares së Jashtme Truss

Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe Liz Truss pas takimit me 6 ministrat e Ballkanit Perëndimor deklaroi se takimi vjen pasi tensionet në rajon kanë arritur kulmin. Si i komentoni deklaratat e Sekretares së Jashtme Truss pas takimit me ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor

Takimi i Londrës ishte gjithashtu në kohën e duhur dhe i nevojshëm për shkak të përkeqësimit të gjendjes së sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar, njësoj si BE-ja e ShBA-ja, është thellësisht e shqetësuar nga lëvizjet e fundit të Milorad Dodikut për ta tërhequr Republikën Serbe nga institucionet e përbashkëta të Bosnjës e Hercegovinës dhe nga mungesa e vullnetit të Serbisë për t’i adresuar çështjet rreth mizorive të luftës që kanë rezultuar nga konfliktet në ish-Jugosllavi. Ekziston faktori i trysnisë së shtuar të tensioneve mes Beogradit dhe Prishtinës. Prandaj, ky është vërtet momenti që komuniteti ndërkombëtar ta vendosë Ballkanin Perëndimor në krye të agjendës politike dhe të zbatojë trysni diplomatike për t’i kundërshtuar ata që po përpiqen që të shkëpusin marrëveshje, ta mohojnë realitetin historik dhe të mbjellin përçarje. Në këtë aspekt, ishte e dobishme që Liz Truss e shfaqi gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për t’u koordinuar ngushtë me BE-në dhe ShBA-në duke i ftuar përfaqësuesit e tyre të posaçëm për Ballkanin, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, në takim në Londër.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *