Ushtria e Kosovës, një histori suksesi në 13 vite shtet

Forca e Sigurisë së Kosovës po vlerësohet histori suksesi përgjatë rrugëtimit të shtetndërtimit. Ani pse jo gjithmonë me buxhet të mjaftueshëm, FSK ka hyrë në vitin e tretë të zbatimit të planit të transformimit në ushtri të Kosovës, për çka komandanti i Forcës thotë se i kanë tejkaluar pritshmëritë e këtij plani. Gjenerallejtënant Rrahman Rama thotë se ngritja e kapaciteteve të FSK-së po bëhet me ndihmën e partnerëve strategjik.

Në një intervistë komandanti i FSK-së thotë se suksesi më i madh përgjatë këtyre viteve mbetet uniforma e ushtrisë së shtetit të Kosovës.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka hyrë në vitin e tretë të planit 10-vjeçar të tranzicionit, me mision dhe mandat të ri.

“E kemi mbyllë vitin e dytë të tranzicionit, kemi filluar vitin e tretë të tranzicionit që është shumë më sfidues, më kompleks por me të gjithë këto të arritura që i kemi dhe me personelin e brendshëm që e kemi nuk kam dyshim që ne nuk do t’a arrijmë, do i realizojmë ato plane që i kemi. Ky plan është fleksibil, varësisht prej situatës ne edhe veprojmë në këto dy vitet e para të tranzicionit i kemi tejkaluar pritshmëritë dhe planifikimet tona, pavarësisht të gjitha sfidave që i kemi pasur gjatë kësaj periudhe, sidomos në këtë kohën e fundit me pandeminë, por kemi arritur t’i realizojmë planifikimet tona. Pritjet tona janë përtej asaj që ne e kemi planifikuar. Është një zhvillim i mirë, nuk dua të flas tani për kohën, e kemi një plan që do t’i përmbahemi por që mund të jetë fleksibil, varësisht prej situatës, ne duhet të ndryshojmë edhe kursin e veprimit”, thotë komandanti i FSK-së.

“FSK është një storie e suksesit gjatë këtyre 13 viteve, e thonë të gjithë dhe shihen rezultatet që jemi institucioni më i respektueshëm në vend. Normalisht që çdo proces i ka edhe sfidat e veta dhe gjatë kësaj periudhe kohore na kanë përcjellë edhe sfidat të ndërtimit të një institucioni të ri në Kosovë, por pavarësisht sfidave ne kemi arritur atë qëllimin dhe synimin tonë që e kemi pasur dhe që është një qëllim dhe synim shekullor dhe kemi arritur që ta kemi ushtrinë por të kemi edhe uniformën e shtetit tonë”, thotë ai.

Leave a comment

Your email address will not be published.