Albert Rohan: FSK është ushtria e Kosovës, ska kush qe e ndal

Albert Rohan, i tha Radios Evropa e Lirë se “Forca e Sigurisë së Kosovës është realisht ushtria e Kosovës” dhe shtoi se çfarëdo ndryshimi rreth saj duhet bërë brenda kuadrit kushtetues.Deklaratat e Rohanit pasuan dorëzimin në Kuvend të një Projektligji për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me kompetenca shtesë nga Presidenti Hashim Thaçi.

Projektligji iu kalua Qeverisë së Kosovës ndërkohë që shkaktoi reagimin e fuqishëm të NATO-s dhe të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, që kundërshtuan, siç thanë, “veprimet e njëanshme”.

Zëvendësndërmjetësi i OKB-së për statusin e Kosovës, Albert Rohan, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se “FSK-ja kufizimin e vetëm e ka në numrin e pjesëtarëve dhe armatimin e rëndë”.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është një ushtri. Kufizimi i vetëm është në numrin e saj dhe në pajisjet e rënda. Nuk e di se çfarë duhet të ndryshojë në konceptin dhe mandatin e kësaj force. Në çfarëdo rasti mund të ndryshohet vetëm brenda procedurave të ligjit të Kosovës dhe të Kushtetutës”.

Radio Evropa e Lirë: Por kjo është shmangur nga institucionet e Kosovës. Kemi parë një reagim të fortë nga NATO dhe nga përfaqësuesit diplomatikë të SHBA-së. Megjithatë, a mund ta krijojë Kosova Ushtrinë e saj?

Albert Rohan: “Por ajo e ka një Ushtri. A mund të më qartësohet se cili është dallimi ndërmjet Forcave të Sigurisë dhe një Ushtrie?”

Në pothuaj dhjetëvjetorin e përfundimit të bisedimeve në Vjenë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si dhe dorëzimit në OKB të Planit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, i njohur si Plani Ahtisaari, që nuk u pranua nga të gjithë anëtarët e organizatës botërore, Albert Rohan tha se dialogu i vazhduar në Bruksel është alternativa e vetme drejt zgjidhjes së çështjeve. Ai tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia mund të ndodh në fund të dialogut.

“Pranimi i shtetësisë si një fakt jetësor nuk mund të vijë në fillim por në fund të dialogut. Do të ishte e pakuptimtë të shpresohej për diçka tjetër. Në fund, Serbia mund ta njoh Kosovën… si do të ndodh kjo nuk e di. Supozoj se kjo mund të ndodh në kontekstin e anëtarësimit të të dyja vendeve në BE, kurdo qoftë. Por kjo situatë do të ndodhte në fund dhe jo në fillim. Ndërkohë duhet të vazhdohet ky proces proaktiv i arritjes së gjërave të vogla, por të rëndësishme. Një nga një dhe të mos fillohet me çështjet e mëdha që nuk mund të zgjidhen sot”, tha Rohan.

Megjithatë, një prej çështjeve më problematike që ka ngjallur reagime të fuqishme posaçërisht të opozitës në Kosovë, është ajo e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e paraparë të krijohet me një Marrëveshje Kornizë të arritur në Prill të vitit 2013.

Por një marrëveshje e lidhur dy vjet më pas në Bruksel për Asociacionin çoi drejt një krize politike në vend. Në një vendim që pasoi kërkesën e presidentes së Kosovës, Gjykata Kushtetuese tha se pjesë të marrëveshjes nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se asociacioni do të themelohet sipas marrëveshjes së prillit të vitit 2013.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, ndërkaq, e kanë ndërlidhur pjesëmarrjen e tyre në jetën institucionale të vendit me themelimin e Asociacionit.

Leave a comment

Your email address will not be published.