Arrestohet personi që ndalonte veturat duke u prezantuar si polic!

Policia e Kosovës ka arrestuar të premten një person në Obiliq pasi që ky i fundit ishte prezantuar rrejshëm si zyrtar policor, përcjell Shqip.com.

Sipas njoftimit të PK-së, i dyshuari ka publikuar një video në rrjete sociale ku shihej se përmes dritave vezulluese, kishte ndalur veturat civile në autostradë.

“Policia e Kosovës, pas pranimit të informacioneve të bëra publike përmes rrjeteve sociale dhe disa portaleve, ku në një video-je shihet një automjet me një person të dyshuar duke përdorur aplikacione të ndryshme në telefon, me drita kinse vezulluese dhe duke i ndaluar veturat civile në autostradë, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore.

Si rezultat i veprimeve të shpejta, personi i cili ka postuar videon në fjalë është identifikuar dhe i njëjti është sjellë në stacionin policor Obiliq dhe është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, pasi që ai gjatë asaj ngjarje në videon e publikuar, ishte prezantuar si zyrtar policor”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Tutje, Policia ka bërë të ditur se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në Qendrën e Mbajtjes për 48 orë dhe ndaj tij është inicuar rasti “prezantim i rremë i personit zyrtar”

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *